
Për të gjithë shqiptarët janë të freskëta sa dhe të pashlyeshme mbresat nga zhvillimet tek Selia e PD-së më 8 janar 2022.
Në mesin e protestuesve paqësorë, ndodheshin edhe kolegët tanë gazetarë, operatorë, kameramanë, fotoreporterë, falë punës së guximshme dhe profesionale të të cilëve, opinioni shqiptar, kudo që ndodhet, u bë dëshmitar i këtij zhvillimi historik.
Ne u bëmë dëshmitarë se si kolegët tanë u ndodhën mes furisë së mercenarëve të Lulzim Bashës, të vetëmbyllur në Selinë e PD-së, dhe të forcave policore të Edi Ramës, të cilët, pa përfillur asnjë ligj, u vërsulën mbi protestuesit paqësorë, por edhe mbi kolegët tanë, duke ua vështirësuar kështu punën e tyre, por edhe duke ua vënë atyre në rrezik jetën dhe shëndetin.
Unioni i Gazetarëve Profesionistë Shqiptarë (UGSHPD) iu shpreh mirënjohjen dhe solidaritetin e plotë e të patundur kolegëve në Tiranë, të cilët, përballë kushteve të jashtëzakonshme që u krijuan, përballë mungesës së kushteve mbrojtëse për asnjë çast nuk e ndali punën për të informuar publikun, siç theksohet në reagimin e menjëhershëm të Lëvizjes së Gazetarëve, një organizatë në Shqipëri që përbëhet nga gazetarë, operatorë, kameramanë, fotoreporterë.
Bashkë me kolegët tanë nga Lëvizja e Gazetarëve në dënojmë ashpër gjithashtu rastin e ndodhur në Shkodër, ku forcat e RENEA-s fyen dhe dhunuan kolegun Simon Shkreli.
Ne e përkrahim me vendosmëri kërkesat e kësaj organizate që kolegëve tanë në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë t’iu jepet mbrojtja ligjore, siguria në punë, siguria e jetës, e drejta për informim pa censurë, kushtet sociale ekonomike dhe gjithçka që ua mundëson atyre në mënyrë optimale punën për informimin publik. Këto kërkesa të pasqyrohen në ligje të posaçme dhe të gjejnë zbatim praktik sa më të shpejtë.
UGSHPD shpreh për të disatën herë gjatë këtyre muajve habinë se si organizatat e gazetarëve, organizatat e të drejtave të njeriut, prania diplomatike perëndimore në Shqipëri nuk tregon as ndjeshmërinë më të vogël ndaj dhunës barbare të policisë së urdhëruar nga Edi Rama ndaj kolegëve tanë të cilët pasqyronin zhvillimet e 8 janarit 2022, të ndodhur në mes të protestuesve paqësorë demokratë.