“Nëse më vrasin mua, atëherë ne jemi bërë shumë të fortë!” Navalny

Lajmi i vdekjes së kreut të opozitës ruse Aleksei Navalny në burgun siberian të njohur me emrin ‘Ujku Polar’ ka shkaktuar valë proteste në Moskë dhe mbarë botën. I dënuar 19 vjet me heqje lirie në gulagun e Arktikut, Navalny raportohet të ketë humbur ndjenjat gjatë një ecejake ditore në oborrin e burgut famëkeq dhe aty ka ndërruar jetë. Agjencia e pavarur ruse Mediazone ka siguruar xhirime të një vargu makinash zyrtare në një rrugë të ngrirë që transportonin trupin e Navalnit në morg. Por morgu ka thënë se trupi nuk është aty. Nëna e Navalnit po kërkon kthimin e trupit. Ndërkohë zyrtarët kanë thënë se po vazhdojnë hetimet për vdekjen në fjalë.

Në dokumentarin “Navalny” nga regjisori kanadez Daniel Rohr, kritiku i Kremlinit thotë: “Nëse më vrasin mua, do të thotë se jemi bërë shumë të fortë.”

Putini i frikësohet trupit të vdekur të Navalnit. Njoftohet se Kremlini ka shtyrë dorëzimin e trupit për dy javë nga ku ngrihen dyshime se trupi mund të pastrohet nga toksinat në rast të një helmimi. Kremlini është shprehur se nuk pret që të ketë probleme nga vdekja e figurës kryesore të opozitës. Kundërshtarët e Putinit janë vrarë, burgosur dhe dëbuar jashtë Rusisë. Media shtetërore ruse, në kontroll të plotë të lajmeve që konsumon publiku, përpunon me kujdes dhe pa u ndalur çdo aspekt të informacionit.

Zyrtarët amerikanë e kanë quajtur haptazi Putinin “përgjegjës” për vdekjen në burg të Navalnit. Ministria ruse e Punëve të Jashtme i quan të papranueshme akuzat e Shteteve të Bashkuara. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka thënë se është shokuar nga lajmi se kritiku kryesor i Kremlinit ka vdekur në burg dhe ka kërkuar nga autoritet ruse t’i jap fund persekutimeve.

Navalni është rasti i pestë mes kundërshtarëve publik që Putini i shënjestron sa herë që rreziku drejt tij ndjehet se rritet pa u bërë ende kërcënues. Aleksei Navalny ishte figura më e njohur opozitare dhe rivali më i fortë i Putinit. Sa kohë që Navalni jetonte, edhe kur ishte i arrestuar, i gjykuar, i burgosur në Artik, ai simbolizonte shpresën që buronte nga vetë fakti se kishte një njeri në Rusi që dinte t’ia tregonte vendin Putinit. Pa Navalnin, Putini ndihet i fortë dhe i parivalizuar përpara zgjedhjeve presidenciale të cilat mbahen Rusi në datat 15-17 Mars.

Putinit i duhet të përdorë manovrat propagandistike dhe arrestimet për të mos lejuar të shpërthejnë protesta. Brenda Rusisë, vendosja e luleve dhe emri i Navalnit në një pusullë mjafton për të shantazhuar grumbullimet përmes arrestimeve. Jashtë Rusisë, solidarizimi me Navalnin është demonstruar në Evropë, Shtetet e Bashkuara.

Eliminimi i Navalnit është saktësisht mesazhi i Kremlinit për pasojat e disidencës. Prandaj mbështetja e disidencës në Rusi është rruga për ta ndaluar pushtetin 24 vjeçar të Putinit. Në rrafshin e marrëdhënieve të jashtme, strategjia e Putinit për vazhdimësinë e pushtetit të tij është manifestuar tek lufta me Ukrainën, frymëzimi i patriotizmit rus i Luftës së Dytë Botërore kundër nazizmit, afrimet me Kinën, Iranin, Korenë dhe qëndrimet për situatën më të nxehtë në Lindjen e Mesme mes Hamasit dhe Izraelit, përpjekjet dhe mbështetja prej kohësh e zonave të nxehta pro serbe në ish-Jugosllavi për ta destabilizuar Evropën dhe kërcënimi me armët atomike.

Me eliminimin e Navalnit nga skena pikërisht në këtë kohë, raporti i shtetasve rusë me demokracinë zbehet. Opozitarizmi dobësohet dhe shantazhohet ndërkohë që çështja më kryesore, pluralizmi politik, si nisma e parë e ushtrimit të ideve dhe fjalës së lirë, kthehet në një term formal brenda territorit rus.

Ndërsa vrasja e Navalnit ka shkaktuar zemërim në Perëndim, të shprehura me demostrime në mbështetje të kauzës së tij, janë vënë re edhe raste si ai i Matteo Salvinit, zvkryeministri i Italisë, i cili përmes partisë së tij Lega, bëri thirrje që të pritet të zbardhet rasti, pra Salvini pret të zbardhje të vrasjes nga Putini!

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës bën thirrje që të mos ndalë mbështetja e Perëndimit ndaj kauzës së Navalny-t, opozitës ruse duke treguar botërisht se përgjegjësi i kësaj vrasjeje sikur edhe vrasjeve të tjera është Putini.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Foto e Navaly-t e projektuar në Ambasadën Ruse në Londër

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *