4 mars 2024

Në më pak se dy javë ligji mbi “Zonat e Mbrojtura” i votuar me 22 Shkurt, 2024 po provon propagandën dhe forcën e kartonit në Kuvendin e Shqipërisë të deputetëve e Rilindjes Socialiste për të mbrojtur interesat në troje pronash dhe lidhje me investime të elitës partiake. Nuk ka shprehje më të theksuar njëanshmërie kur në një studio-tv që ATSH nuk i përmend as emrin si burim ndërtohet e gjithë tregimi propagandistike që do të thotë demagogji dhe “pyetje të pambukta”, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro për 45 minuta (në News-24 Albania Kjo Javë me Nisida Tufa),u mbrojt  duke u shprehur se çfarë ka bërë mirë kjo qeverisje për këta dhjetë vjet dhe që do të bëjë edhe për dhjetë të tjera për të mirën e Shqipërisë. Sipas saj nga 2013 deri sot treiqeverisjet e Rilindjes Socialiste kanë qenë shtrim politikash, materializimi tyre dhe rezultat për kohën ku jemi ndërsa për të ardhmen shihen zhvillimi dhe përfitimi.

Në qoftë se besojmë dhe e marrim të mirëqenë këtë që thuhet dhe miratohet me një ligj të ri me 77 vota në Kuvend dhe vetëm nga 1 forcë politike dhe pa pjesëmarrjen e publikut dhe këshillat e BE, kjo është një propagandë e mirëfilltë që ju mbush mendjen vetëm juve, klientëve tuaj dhe elitës në pushtet. Pyetjet e pambukta nuk janë transparencë me publikun. Ne qoftë se  juve do ta respektonit transparencën me publikun atëherë në po të njëjtën studio apo kudo tjetër ballafaqohuni me publikun, me opozitën dritëshkurtër siç e quani, me shoqërinë civile, me BE dhe përfaqësinë e dhjetëra organizatave joqeveritare mjedisore që të kuptohen qartë problematikat dhe sa thellë i keni hyrë zhvatjes së Shqipërisë.

Do të duhej të ndaleshim sigurisht me shifra dhe fakte për dhjetëra raste për mjedisin dhe natyrën pa numëruar si “matësit e ujit dhe të energjisë” hyrjen e mbi 10 milion turistëve gjatë vitit 2024 ku shpesh uji dhe energjia mungon, ajri i ndotur nga ndërtimet, automjetet dhe fushat e plehrave, atje ku shkrepësja shkreton pyllin për të filluar me betonin dhe tjetra e kthyer në normë si kudo ku hidhen themelet, sheh investitorëve strategjikë që kanë lidhje me familjarë të pushtetit që juve vetë prekeni për transparencën e investimeve duke e bërë mendimin kritik anatemues të biznesit që rrezikon me investimet në Shqipëri.

Dilni përpara publikut sot qoftë si Ministri e Turizmit dhe e Mjedisit dhe qoftë si kabinet qeveritar përpara opinionit publik, opozitës, BE dhe organizatave mjedisore dhe jo vetëm për Lagunën e Nartës, por për Lumin Vjosë, për pyllin Pishë Poro të sapo djegur, për Lagunën e  Karavastasë, për Kune-Vainë, për Liqenin e Ohrit, për Malin e Dajtit, për pellgun ujëmbledhës të Sakavicës, për Butrintin dhe do të rreshtoheshin edhe dhjetëra të tjera për të treguar se administrata e mjedisit që ju mbuloni në mbarë territorin paguhet pa bërë punë pasi shqetësimet vijnë nga denoncimi qytetar dhe burimet e tjera të ndërgjegjësuara për mbrojtjen e natyrës, gjallesës, dhe mjedisit.

Ju mund ta merrni personale dhe në ekip përgjegjësinë sot përpara publikut sepse nuk provoni dot atë që shprehni në ekran, apo që edhe ATSH-ja ju shpalos me propagandë se jeni njerëzit e duhur dhe të punës kur: “Por realitetin duhet ta ndjekim nga pas për të gjetur balancën e duhur midis nevojës për zhvillim në disa zona me kritere të forta dhe mbrojtjes së mjedisit. Këto kritere do të kalojnë në katër filtra, agjencia e mjedisit, ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe më pas qeveria”. 

Duke i shtuar katër filtrave që juve përmendni më lart dhe dy tre pika të tjera të forta si fuqia e kartonit në kuvend, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe dekretin e presidentit dhe kur shoqëria civile dhe publiku janë anashkaluar historikisht dhe qëllimshëm gjatë viteve të qeverisjes së Rilindjes Socialiste diçka mbetet fare e qartë. Rekordi juaj në foltoren e kuvendit vetëm për çështjen e Lagunës së Nartës më 22 Korrik, 2022 ishte “projekti i aeroportit të Vlorës është propozuar të kryhet as më shumë e as më pak, por në gjurmën ekzistuese të ish-aeroportit ushtarak, të ndërtuar në fillim të viteve ‘20 dhe ka qenë funksional deri në vitin 1970″.  

Sa tokë është rrëmbyer?

Zj. Ministre, dilni përpara publikut pasi përfaqësoni edhe votën e tij për ta zhvilluar Shqipërinë dhe jo për ta ënjtur me propagandë, me fotografi peizazhesh të bukurisë natyrore të vendit ndërkohë që zhvillimet tuaja turistike po përzënë nga pronarët, po i shpopullojnë zonat nga vështirësia ekonomike dhe varfëria.

Po sot ku jemi dy vite më pas?

Kjo është gënjeshtra dyvjeçare që po provohet sot dhe me këtë mënyrë makinacioni  ju po tregoni se si funksionon sistemi i juaj i përfitimit. Shqiptarët dhe ndërkombëtarët  e shohin qartë se sa po e duron vendi  rrjepjen e Zonave të Mbrojtura prej kësaj qeverisje të korruptuar që fare pa një dhimsuri copëton dhe masakron gjallesën dhe natyrën dhe po me propagandë dhe arrogancë po projekton vazhdimësinë e elitës përtej 2030.

3 Mars, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) 

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD) 

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD) 

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD) 

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD) 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *