5 Mars 2024

Të tjerëve do t’u duhej të mbanin rradhën përsëri deri sa nga mes dita kjo qendër të merrte një furnizim parash nga banka ose ata që do ta kishin të pamundur do ta fillonin “avazin” e mbajtjes së rradhës përsëri nesër në një datë kur të tjerë pensionistë kanë ditën e tyre. Të dy mikeshat pra e zgjatën kohën e kafesë për disa orë më shumë dhe sigurisht me një sy nga arka. Pritja e pati suksesin sepse ato pak plane të bëra me mendje se ç’duhej shpenzuar pas marrjes së pensionit do të zgjidheshin disi.

Po sa çmohen pensionistët në 2024?  Ka nga ata të kësaj moshe që kanë edhe 40-50 vite punë.

Pensioni është një kuotë që askush më mirë se ato nuk e kupton edhe kur dikur kanë qenë në marrëdhënie pune dhe kanë qenë të rrethuar me fëmijë, nipa e mbesa, me kushërinj e miq dhe ishin aq nikoqire dhe mikpritëse për rrethin familjar sa shpenzimet i përballonin duke ndihmuar njëra-tjetrën në ditë të vështira nga hyrje-daljet dhe kur nuk mjaftonin kursimet modeste, fundi i një “pesëmbëdhjetëditëshi” (pagesa e njohur e ekonomisë socialiste), dukej si një ditë e pa arritshme. Fëmijët e tyre sot që jetojnë aty apo edhe që janë emigrantë sëpaku flasin dendur në celular dhe tek sa pyesin për ushqimin, barnat, vizitat mjeksore, faturat e ujit dhe të energjisë etj. i pyesin edhe më shpesh nëse kanë nevojë për ndihmë financiare. Por kurrë nga goja e prindit një emigrant nuk dëgjon të thuhet se jemi ngushtë, ndaj dhe në ndonjë rast si për ta larguar skuqjen e turpit prej varfërisë i dëgjon t’ua kthejnë me humor përgjigjen:

“Bëjmë si bëjmë. Nuk hamë se shëndoshemi”, apo “Hedhim ndonjë mbulesë krahëve se dimri ishte i butë”.

Këto dhe të tjera rrëfime të ngjashme shumë prej nesh besojmë se i kanë ndeshur shpesh mes një emigranti dhe një prindi. Si ata që i ndan oqeani, por dhe për ata që ndodhen në Evropë frika dhe pengu mbetet nëse një emergjencë shëndetësore do të ndodhte dhe askush nuk do t’u gjindej dot në momentin kur kjo moshë e tretë ka nevojë më shumë.

E gjithë kjo hyrje pa shkuar tek situata tragjike e ndarjes nga jeta lidhet me familjen, me ekonominë, me dinjitetin njerzor, por edhe me shtetin në mënyrën se çfarë trajtimi u sigurohet pensionistëve të cilëve 60% të kuotës mujore i nevoitet vetëm për t’u ushqyer. Krahasimet dhe shifrat nga politika dhe media çajnë ekranet dhe shpesh kamerat e mikrofonat mbulojnë portretet e ministrave dhe politikanëve në çdo edicion lajmesh se sa shumë ata po përpiqen për zhvillimin, por një mikrofon dhe një kamera nuk e gjen tek një arkë e kryeqytetit apo kudo qoftë që të spjegojë fenomenin e përsëritur “Paret mbaruan! Prisni deri nga mesdita ose ejani nesër”. Lajmi në fakt bëhet kur një bankë grabitet. Por për pensionistin koha nuk ka rëndësi. Dhe justifikimi është: “Kështu ndodh në fillim të muajit, datat ngjishen kur është fund javë. Ndajmë para për më shumë pensionistë. Eja nesër”. etj.

Ku e keni dinjitetin dhe cilësinë e premtuar të shërbimeve Ooo administratë e Rilindjes?

Kemi dëgjuar se ju shpreheni përara zgjedhjeve dhe fundvitit dhe shtjelloni me leksione akademike për skema përfitimi qytet dhe fshat, jepni shtesa 5000 lekëshe, se si funksionon e-albania, se si mund të pyesni shërbëtorin e Inteligjencës Artificiale, se premtoni se paratë mund t’i dërgoni edhe me postë në datën e caktuar kundrejt një tarife simbolike 100 lekë, etj. etj. përrala.

Mblidhuni njëherë dhe merni një masë për t’i pajisur me kartë-banke këta 700 mijë përfitues pensionesh pa i detyruar ata të futin kokën tek sportelet dhe hiqjuani ato rradha pritjesh dimër e verë,  në shi e në diell, pranë arkave në rradhët e gjata të ankthit se vallë; -A do të ketë para kesh shteti që t’i paguajë pensionistët deri në fund të ditës që ju është caktuar pagesa.

Edhe kur nga larg keqardhjen shprehin bijtë dhe bijat nga diaspora, ky shqetësim nuk zgjidhet dot me transferim të shpejtë parash sepse ç’kuptim ka e drejta e pensionit. Fëmijët emigrantë janë të gatshëm t’i ndihmojnë prindrit, por dinjiteti dhe respekti i moshës së tretë është kthyer në premtim elektoral i politikës jo të vlerësimit të djersës që ata kanë hedhur në dhjetra vite pune në qytet dhe në fshat. Skema e rrjepjes dhe e mërzisë është e lidhur me sistemin dhe shërbimet e administratës që në çdo rast edhe ndër to kur edhe ka fatkeqësi natyrore, emegjenca shëndetsore etj. kjo qeveri është e specializuar aq shumë sa nuk lë shkak që paranë e thatë ta shkëmbejë në vlerë pushteti për favore dhe sa herë që zgjedhjet vijnë.

Për ta vazhduar më tej me politikën e keq qeverisjes së Rilindjes Socialiste do t’ju këshillonim se çfarë ndodhi gjatë kësaj fundjave që administrata qendrore dhe vendore ishte kaq e pa përgatitur për t’u kujdesur për atë të shkretë pension  për të moshuarit në fillimin e javës?

Hapni TV dhe celularët dhe aty do ta keni edhe shërbimin e gazetarëve, mbulim cep më cep me zë dhe figurë me rastin e anëtarësimeve të reja të rinisë së kryeqytetit në Njësitë 9 dhe 4. Në ato njësi sikurse edhe në të tjerat jepet lajmi dhe zhvillohet propaganda përmes ATSH-s, se 200 anëtarë edhe të rinj në moshë nën të 20-tat bëhen pjesë e familjes socialiste. E asaj familje “elitare” që i ka vënë shqelmin gjithë gjyshërve dhe stërgjyshërve…

Media mund ta jetojë edhe më bukur  me informacion dhe me art ditën e një pensionisti dhe ta sjellë atë në ekran apo në gazeta. Janë mbi 700 mijë pensionistë sipas statistikave që kanë nevojë për shërbime, shëndet, mbrojtje dhe dinjitet dhe kur t’u jenë realizuar me respek të gjitha këto minimalisht, atëherë politika t’u drejtohet për votën.

Historitë e mbi 700 mijë pensionistëve janë të ngjashme ndaj mos i qeshni. Janë të ngjashme shqetësimet e atyre që dalin herët dhe presin në rradha të gjata si edhe e atyre që dalin sërish të nesërmen dhe të pasnesërmen për të mbaruar betejën e muajit. Është kryesisht dhe vetëm varfëria.

Një fakt real para pak kohësh po ashtu la gjurmë dhe bëri përshtypje. Një i moshuar SV, fort i kujdesshëm për shëndetin që e dëgjon këshillën e mjekut, e zbaton atë me përpiktmëri. Kur ai ka luhatje tensioni, kalon nga farmacia që të shkojë i përgatitur për vizitën tek mjeku. Rifreskon dhe blen ndonjë nga barnat (me paratë e pensionit), dhe me atë rast peshohet në farmaci duke marrë një pusullë për peshën që të jetë korrekt për t’ia treguar doktorit që t’i bëjë vlerësimin.

Tregimi ose lajmi ynë këtu merr fund.

Në daç qeshni dhe në daç qani. Por si nuk paska mjeku një “kandar” që ta peshojë pacientin? Kjo në shekullin e XXI duket ngjethëse për një vend që synon BE. Por për t’u kuptuar se kush i rrëmben edhe qindarkat e atij pensionisti kjo ka rëndësi të kuptohet. Një pensionist duhet ta lërë edhe një 30 lekëshe edhe me taksë në një farmaci për peshoren e importit (të papërditësuar as në gjuhën shqipe), por që ka saktësi matëse me ± 50 gr.

As mos qeshni dhe as mos qani të nderuar gazetarë të mediave të pavarura. Misioni i juaj nuk ka të vlerësuar kur mbroni të vërtetën. Faktet janë aty ku jetoni dhe vetëm pak laps e letër për një llogaritje; 50 kafe + 100 (shërbimi postar i pensionit) + 30 (një e peshuar) = 1/10 nga të ardhurat e një pensionisti për ushqim, shëndet, shërbime dhe argëtim.

Aritmetikë dhe fakt i thjeshtë pranë varfërisë dhe arkave të pagesës të njësive kryeqytetase ku gumëzhin programi elektoral i zhvillimit dhe e ardhmja e Rilindjes Socialiste.

E nderuar media nuk keni vend më të bukur se ku mund t’i gjeni subjektet për lajmet e vërteta drejt ditës që do të vendosen zgjedhjet.

4 Mars 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *