29 Mars 2024

Gjatë muajit Mars u panë disa lëvizje interesante në politikën shqiptare ku duket se janë bërë lëshime rreth kthimit në normalitet të jetës së Kuvendit të Shqipërisë prej gati dy javësh. Vetëm me 28 Mars, 2024  në medien shtetërore ose propagandën e Rilindjes Socialiste përfaqësuar prej ATSH (Agjencisë Telegrafike Shqiptare), u përcollën si stuhi tre lajme njëri pas tjetrit; ai përmes Kreut të Grupit Parlamentar Bledi Çuçi, ai i vetë Kryeministrit Edvin Rama dhe po ashtu ai i  Ministrit të Brendshëm Taulant Balla.

Renditja e njëpasnjëshme e lajmeve kishte si tematikë Komisionet e Posaçme Parlamentare dhe Luftën Kundër Narkotikëve (me operacionin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër). Në pamje të parë mund të duket se 28 Marsi ishte një ditë e zakonshme e zhvillimeve në politikën dhe punën e përditshme të qeverisë, por në medien shtetërore ATSH disa lajme munguan si ato mbi denoncimin në SPAK (për Laboratorin e Kokainës- Xibrakë ku paraqitet përfshirja në bashkëpunim e vëllait të kryeministrit), nga ana e opozitës dhe tjetri veprimi i SPAK-ut (për masën e arrestit dhe detyrimit për paraqitje), të nëntë personave, zyrtarë të Bashkisë Tiranë mbi aferën e inceneratorëve. Mbi këto shkelje sipas njoftimit të SPAK;  “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka filluar hetimet lidhur me procedimin penal nr.75, datë 27.04.2023, për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike”  dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 258/2 dhe 259/2, të Kodit Penal” , por për këto ngjarje nuk u gjet hapësirë për paraqitje për ato media nën varësinë e qeverisë .

Kur këto veprime dhe përcjellje ngjarjesh bëhen të dukshme ose kur nga ana tjetër vërehet se ato seleksionohen dhe mbulohen qëllimshëm, atëherë presioni i gazetarëve për vërtetësinë e lajmit tregon se ka humbur dinamikën dhe kurrë mirëinformimi nuk mund të pritet në publik dhe ai as nuk mund “të zgjidhet” përmes propagandës së pushtetit dhe as përmes zhvillimeve në studiot e zhurmshme me analistë që thithin në të tjera drejtime publikun.

Në të vërtetë kthimi i jetës parlamentare ku në parim u pranuan për të filluar nga puna dy Komisione Hetimore 1- për ndërhyrjen në sistemin TIMS dhe 2- për Koncesionin e Sterilizimit dhe për Konfliktin e interesit në tendera dhe u panë si një lëshim fronti nga mos hapja rrugë për opozitën prej mazhorancës, po me 28 Mars, 2024 u duk se po në Kuvend shkoi si pa u vënë re për nga rëndësia Komisioni i Reformës Zgjedhore. Ai u zhvillua me dyer të mbyllura për rreth 60 minuta, me një kompozim të ri mes Damian Gjiknurit dhe Oerd Bylykbashit dhe përfaqësisë pozitë/opozitë i cilësuar si mbledhja e konstituimit të mekanizimit të ngritur për të amenduar Kodin Zgjedhor. Një komision që nuk ka dhënë produkt prej më se dy vitesh pas këshillave të OSBE/ODIHR, së fundi mblidhet dhe ka përpara projektimin e kohës së shkurtër që ka mbetur për zgjedhjet e ardhshme. Por në veçanti çfarë janë gjithë këto ngarkesa dhe lëvizje brenda jetës parlamentare që duhet të shkëputen për nga rëndësia dhe duhen vlerësuar pa rënë në presionin e propagandës e cila vepron  fuqishëm mbi to?

Në shikimin e kujdesshëm koha që kur Partia Socialiste filloi të ndjejë se fuqia e Komisioneve Parlamentare është më me vlerë se forca e kartonit në linjë partiake, kjo të bën të kuptosh se lufta politike shumë shpejtë do të ashpërsohet. Një taktikë e re do të hidhet në veprim për të kuptuar se Komisionet Hetimore janë një e drejtë kushtetuese, por a do të ketë vullnet politik për zbatimin e ligjit dhe veprimit të drejtësisë.

Sipas Nenit 77, 

  1. Kuvendi zgjedh nga gjiri i tij komisione të përhershme, si dhe mund të caktojë komisione të posaçme
  2. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë,e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore. 
  3. Komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj.

Pra veç vullnetit politik cili do të jetë rezultati që presin qytetarët për të krijuar besueshmërinë dhe për të zgjedhur nesër një force politike në drejtimin e shtetit.

Grupi Parlamentar të Partisë Socialiste me anë të kreut të grupit Bledi Çuçi tregoi pikërisht se zgjeroi fushën e veprimit duke sjellë brenda politikës vendase nuancën e ndikimit ndërkombëtar kur parashtroi kërkesën për Kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla mbi: “krijimin e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar me fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri”. Një kornizë për këtë formulim ku përfshihet sipas Çuçit dhe citohet nga ATSH mbi dy dokumenta ndërkombëtare si; (1) Memorandumi i Mirëkuptimit të 15 Shkurtit, 2024 ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së për të adresuar manipulimin e informacionit nga aktorët e shteteve të huaja dhe (2) Deklarata e Tiranës e 28 shkurtit 2024 e Samitit Ukrainë-Evropë Juglindore; dhe rekomandimet e BE-së për “vazhdimin e përpjekjeve për mbylljen e hapësirës për ndërhyrjet e huaja dhe manipulimin e informacionit”. 

Në të njëjtën kohë Kryeministri Rama bën mbështetjen e propozimit dhe kërkesës për ngritjen e Komisionit të Posaçëm dhe po sipas ATSH-s që i referohet statusit të tij në mediat sociale këtë zhvillim e quan: “Shumë e rëndësishme për të ecur përpara me shpejtësi të plotë”.

Ministri i Brendës hëm Taulant Balla nga ana e tij nuk veçohet në po këtë ditë nga aksioni, në operacionin “Luarza 1” prej Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ku u sekuestruan mbi 37 mijë fidanë cannabis stiva dhe stinën ai e cilëson si: “ardhja e pranverës rikthen edhe përpjekjet e grupeve kriminale për kultivim të bimëve narkotike”.

Pra një ditë e ngjeshur në lajme. Një ditë ku propaganda shtetërore flet për manipulimine të informacionit. Një ditë e dyfytyrësisë dhe e dy standardeve që mbulohen me heshtje prej zhvillimeve në SPAK dhe zhurmave në ekrane prej denoncimeve të opozitës të cilat tregojnë qartë se shteti hesht dhe mbrohet nga propaganda përmes lojës së njohur të mosndërhyrjes në punët e drejtësisë.

Një komision i posaçëm i propozuar dhe i  kërkuar nga Partia Socialiste në pushtet mbi këtë formulim “koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri”, i pa shkëputur nga përmbajtja ka nevojë të qartësohet imtësisht nga i gjithë spektri politik në Kuvendin e Shqipërisë. Ashtu siç mund të shihet me prioritet siguria kombëtare, rruga për të patur një shtet të sigurt nuk mund t’i besohet më një force politike që noton mbi korrupsion prej më se dhjetë vitesh. Kur ky komision të nisë veprimin dhe në qoftë se fiton dëshira pushtetmbajtëse atëherë censura dhe propaganda do të forcohen më tej në duart e një elite ose të partisë-shtet që do ta cenojë rëndë pluralizmin.

Por nga ana tjetër këto zhvillime treguan se ishin shkundjet e para të rëndësishme sepse po qartësojnë atë se lufta kundër korrupsionit po zhvillohet në një front të gjerë. Është një kalbëzim sistemi ku mund të shquhet ajo pjesë e politikës që vetëm ka përfituar pa i shërbyer mirëqenies së shtetasve dhe që ka patur dhe ka si synim të largët pushtetin pas zgjedhjeve dhe veshjen e kësaj mburoje.

Pikërisht deri atëherë ky kufi kohor nuk do të ndjehet prej ngarkesës së ngjarjeve që do të rrjedhin me shpejtësi ndaj publiku dhe medias iu duhet të mprehin që sot vigjilencën dhe të monitorojnë zhvillimet e politikës, zbatimit të drejtësisë dhe të përpiqen energjikisht për realizimin e një procesi të ndershëm zgjedhor. Tranzicioni i gjatë shqiptar ka vërtetuar tashmë humbjen e kohës, Shqipëria ka nevojë për zhvillimin e një shoqërie në paqe, demokratike dhe të priret drejt zhvillimeve dhe kah qytetërimi perëndimor me një përfaqësim politikanësh që e duan atdheun dhe i shërbejnë shtetasve.

28 Mars, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *