31 Mars 2024

Zgjedhjet për Socialistët po afrojnë, një vend si Shkodra kuptohet se mund të fitohet jashtë kutisë së votimit me propagandë dhe me investime për ta mbajtur pushtetin vendor. Por Shkodrën, edhe pse jeta është shtrenjtuar e vështirësuar si në të gjithë Shqipërinë, qeveria e Ramës e mban nën vëmendje dhe kjo të jep arsyen që ta drejtosh disi ndryshe pyetjen. A u thyen demokratët dhe kjo ndodhi njëherë apo mbështetësit e Rilindjes Socialiste po shterojnë dhe investimet kanë zbuluar minierë floriri në “Molin e lumit të Bunës”?

Me humorin që i karakterizon shkodranët kjo pyetje merr edhe zbulimin e të kuptuarit se pse tash gati një vit pas zgjedhjeve vendore të 14 Majit 2023, banorët që përmbyten çdo vit nga reshjet po provojnë si pa kuptuar edhe dallgën Rilindase. E vërteta është se zhvillimi ekonomik është më kryesori për një rreth të madh të lënë në harresë, por për të investimet kanë qenë të lidhura gjithmonë me propagandën politike. Kështu rajoni më antikomunist, kryesisht i varfër dhe pavarësisht kësaj është i njohur si mbrojtës i demokracisë qysh prej fillimeve deri sa më në fund e lëshoi ose ra nën drejtimin socialistëve për pushtetin vendor. Pra nuk ka kaluar as një vit nga procesi zgjedhor ku vërejtjet për rezultatin dhe procesin kanë qenë tepër kritike, faktet më pas kanë pasuruar të kuptuarit e mekanizmit për grabitjen e votës. Qeverisja vendore ka gjetur tani si formë të shprehjes së “qëndrueshmërisë”, reformat dhe  marrjen e investimeve. Ato kryesisht bëhen për ndërtime rrugësh, për terrenin natyror, por përforcohen nën termat fushatore të politikës dhe përshkallëzohen në programe si turizmi, infrastruktura, energjia e gjelbër etj. Këto projekte gjithashtu zbulohen shpejtë se janë më së shumti fonde parash për infrastrukturën zgjedhore partiake. Çdo “projekt” fillimisht nis të zbulohet si një kërkesë e nevojave të popullatës dhe më pas komisarët politikë shfaqen në objekt herë pas here deri sa t’i vijë rradha shiritave përurues në prag të zgjedhjeve dhe më pas ndodhin shembjet, zjarri i papritur dhe përmbytja. Me këtë rezultat qytetarët nuk arrijnë zgjidhin nevojat e tyre asnjëherë dhe në të kundërt bëhen epiqendra e emergjencave ku fajin e marrin forcat e natyrës ndërsa qeveria nuk bën kurrë transparencë dhe vetëm i mbulon përgjegjësitë. Sigurisht pas çdo goditje, premtimet për 24 orë ujë dhe drita humbasin, taksat dhe çmimet vazhdojnë dhe rriten dhe kështu banorët jetojnë me fjalët e mira që mund t’u vijnë prej vlerësimit të turistëve dhe vizitorëve; atë se shkodranët janë njerëz të dashur dhe mikpritës.

E çfarë i ka met me dhanë ma shumë shkodranëve, kur votën ja morën?

E parashtruam këtë këndvështrim të përgjithshëm tani pas 10 muajsh që Rilindasit e qeverisin Shkodrën pikërisht për të bërë një krahasim se sa afër janë paraja dhe politika kur ajo përdoret si propagandë për ta mbajtur pushtetin. Këtë po e krahasojmë me një vendngjarje ku përmbajtja e lajmit shumëfishohet prej ATSH-s  tre herë brenda dy ditësh. Për këtë i jemi referuar agjencisë shtetërore në fjalë (ATSH-s) e cila nuk ka kokëçarje për monitorim dhe profesionalizëm, mjafton që makineria e propagandës qeveritare të prodhojë lajme dhe ajo t’ia tërheqë vëmendjen publikut nga ato ngjarje të cilat vërtetë thërrasin dhe bëjnë zhurmë në realitetin e përditshëm të prekur thellë nga korrupsioni.

Ky lajm i trefishuar vjen nga Kryetari i Bashkisë, Benet Beci, amplifikohet nga komisarja politike e qarkut Elisa Spiropali dhe shpërndahet në publik nga Kryeministri Rama. Deri këtu nuk ka asnjë shqetësim kur personazhet dhe personalitetet e shpërndajnë  gëzimin (bëjnë share), projektin mbi lumin Bunë. Por që ATSH-ja ta riprodhojë të njëjtin mesazh me Kryetarin, komisaren dhe kryeministrin   si; “Moli i Bunës rikthen lundrimin dhe zhvillon turizmin” , ky qëndrim tregon se pushteti tashmë nuk përmbahet as nga marrëzitë e lajmit dhe  për më tepër ndjehet i plotfuqishëm në çdo shkallë institucionale.

Brenda dy ditësh, tre lajme nga tre figura politike për të njëjtin objekt.

Pyetja që sot drejtohet është se përse qeveria nuk i pa investimet dhe këtë projekt tash e dhjetë vjet në Shkodër?

Përgjigja është se investimi financiar është një kredi politike, favorizon të korruptuarit dhe kjo ndodh atëherë kur propaganda ushqen interesat për të qëndruar sa më gjatë në pushtet dhe për këtë nevojitet edhe Shkodra që është një qytet me ndikim shumë të madh sikurse dhe i gjithë rajoni rreth saj për të ngritur besimin e rremë tek shqiptarët për vazhdimin e pushtetit në duart e Rilindjes Socialiste.

Një tjetër shikim mbi modelin e lajmit të trefishtë në media veç riprodhimit propagandistik në ditët njëra pas tjetrës prej ATSH-s ka të bëjë me brendësinë e tij.

Çfarë ka në thelb?

Çfarë trajtohet aty?

Çfarë ilustrimi vizual jepet që ta kuptosh se aty është një kantier ndërtimi dhe kjo mund të të bëjë për vete?

Por këtë mos u lodhni ta kërkoni pasi në esencë aty nuk do të gjeni dhe aty nuk ka një numër masiv punonjësish, makinerish dhe automjetesh që punojnë natë e ditë. Në lajm i rëndësishëm është përsëritja herë pas here e investimit dhe vlera monetare që shteti deri tani ka dhënë 1,2 milion euro. Një refren që për rrugë, ura, dhe ndërtime infrastrukturore që deri në zgjedhjet e ardhshme sërish do ta dëgjojmë. Fare qartë pra njerëzit do të arrijnë të kuptojnë se janë një grusht njerëzish që zbatojnë një skemë interesash dhe përvetësimi, korrupsioni i hapur pasi prioritetet e Shkodrës nuk dalin nga Këshilli Bashkiak dhe nevojat e banorëve të saj, por nga VKM-t e qeverisë.

Një aspekt tjetër veç propagandës që del prej lajmit të trefishtë mbi “Molin e Bunës” është shmangia në media prej skandaleve ditore që sjell korrupsioni. Kryeministrit dhe qeveria së tij vazhdimisht kanë nënvleftësuar interesat e shtetasve, fyejnë gazetarët me arrogancën e tyre dhe mundohen largojnë interesimin mbi hetimet që janë thelluar për shkak të korrupsionit mes shumë projekteve ku po zbulohet rrethi i ngushtë i bashkëpunëtorëve dhe i lidhjeve familjare të parasë me pushtetin.

Në qoftë se transparenca tani shihet më qartë se mungon dhe korrupsioni nuk u trembet lajmeve edhe për këtë publiku nuk ka më përse të shqetësohet. Mediat pranë qeverisë dhe sidomos ATSH-ja janë ajo pjesë e makinerisë së propagandës kanë marrë përsipër ta shohin ndryshe realitetin. Selfi-et me pamjet e natyrës, titujt nga gazetat botërore për zbulimin e turizmit shqiptar në çdo skaj, mediat sociale patronazhiste dhe të gjitha podkastet javore të kryeministrit (si Flasim) mbushin lajmet zyrtare kombëtare. Pra “të flasim”, për t’ju larguar shqetësimeve dhe të vërtetës, kjo është motoja e propagandës parti-shtet.

Për drejtësinë, opozitën, varfërinë, shëndetësinë dhe arsimin, largimin masiv të shqiptarëve, korrupsionin, krimin dhe drogën ku përfshihen edhe lidhjet me pushtetin ky informim mungon, nuk gjendet, transparenca po ashtu, ndërsa të vërtetën publiku e prek dhe e jeton çdo ditë me vështirësinë e çmimeve, taksave që rriten dhe uljen e mirëqenies deri në varfëri, një realitet të cilin mund ta përcjellin vetëm gazetarët e përgjegjshëm dhe të guximshëm.

30 Mars, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *