6 Prill 2024

Kundërshtarët e vërtetë për korrupsionin në Shqipëri janë shtetasit e varfër, ata të larguarit për një jetë më të mirë nëpër botë sikurse dhe ajo pjesë e popullsisë që ende nuk e ka ndarë mendjen të emigrojë për shkak të pabarabarazisë që Shqipëria ka krijuar prej një qeverisje shumë të keqe. Tirana është kthyer në metropolin e aferave të dyshimta ku hidhen qindra milionë çdo vit (330 mil. buxheti vjetor), dhe punët e kryera janë kryesisht fasada për pushtetin vendor dhe qeverisjen, propaganda dhe akumulimi përmes tregut informal kapitalin e ardhshëm për blerjen e votës. Mirëpo Tirana është edhe kryeqyteti i lidhjeve nepotike, ku paraja e padeklaruar nën dorë (ryshfeti), ka vajosur gjithë ingranazhet e sistemit nga territori, pronat, ndërtimet e deri tek përthithja e investimeve nga projektet ndërkombëtare kryesisht për infrastrukturën, energjinë, mjedisin, shëndetësinë, bujqësinë pa u zgjatur në të tjera shkojnë në drejtim të investitorëve strategjik të piketuar nga qeveria pa kurrfarë transparence dhe konkurrimi. Arrestimi dhe ndalimi i 9 funksionarëve dhe drejtuesve të Bashkisë së Tiranës (me masën e arrestit dhe detyrimit për paraqitje mbi aferën e inceneratorëve), gati një javë më parë i dha edhe një shkundje ndërgjegjes qytetare dhe opozitës që të ngrinin zërin e protestës dhe rrethimin fizik të Bashkisë për dy orë ku mijëra qytetarë hodhën parulla dhe sulmuan me vezë dhe fruta ndërtesën e rrethuar nga një gardh i fortë i policisë. Gjithashtu nga burime mediatike pohohet se SPAK ka nisur letrën e dytë të paraqitjes për Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj i cili për arsye shëndetësore (pas një ndërhyrje kirurgjikale) pritet të përmirësohet fizikisht.

Deri këtu jemi në mbulimin e dinamikës dhe hapësirës së shtrirjes së lajmit mbi korrupsionin vetëm në Bashkinë Tiranë. Por java e kaluar shkundjet i kishte edhe më trondiste në Kuvendin e Shqipërisë me Komisionet Hetimore si dhe kërkesën e një interpelance me Kryeministrin Edvin Rama mbi zhvillimet e reja dhe dijenisë së tij për Laboratorin e Kokainës- Xibrakë ku paraqitet përfshirja në bashkëpunim e vëllait të tij. Kjo ngjarje e fundit shënoi edhe lëvizje të shpejta mbrojtëse të cilat më së shumti u shprehën në disa vendime të reja të GJKO-së dhe urdhër arreste dhe ndalime të SPAK. Ky i fundit gjatë së Enjtes 4 Prill, 2024 doli përmes Kryetarit Altin Dumani përballë KLP duke deklaruar ndër të tjera se; pasuritë e konfiskuara dhe të sekuestruara kanë një vlerë prej 41 mln euro (54 %  me 46%). SPAK regjistruar 221  procedime penale gjatë vitit 2023, për korrupsion ku, 67 prej tyre janë procedime të nisura nga SPAK duke rritur në masën 139% procedimin nga 2022. Mes tyre janë regjistruar 8 procedime penale me 18 të pandehur për zyrtarë të nivelit të lartë ku përfshihen përfshirë administratorë, ish-ministra, një ish-kryeministër, ish-krye bashkiakë, apo ish-sekretarë të përgjithshëm dhe ku shkalla e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit lë për të dëshiruar në zbatimin e detyrave dhe besueshmërisë së sekretit profesional të cilat mund të kuptohen si jo rezultative dhe efikase kur krimi arrin të bëhet partner me administratën publike, zyrtarët shtetërorë dhe përfaqësuesit e politikës. Kjo është sprova më e madhe e drejtësisë shqiptare për të patur barazi në trajtimin e çështjeve ku të gjithë shtetasit sipas kushtetutës prezumohen të pafajshëm deri sa të vërtetohet shkalla e dëmit dhe pjesëmarrja në veprën penale.

Është i nevojshëm ky parashtrim pasi faktet janë të nxehtë dhe të zhurmshëm, por përgjigja e politikës prej mazhorancës pikërisht mbi këto zhvillime ka marrë masa emergjente me ngritjen e Komisionit Hetimor mbi Dezinformimin. Një komision që u ndërtua shpejtë dhe u kalua me aprovimin e mazhorancës unanimisht, ndërkohë që dy komisionet e tjera të kërkuara më parë prej opozitës filluan bashkëbisedimet, por ku ndjehen pengesat artificiale dhe bojkotimi prej mazhorancës. Ky është kurthi dhe dështimi parlamentar i bashkëpunimit, pasi interesat e Ramës nuk duhet të preken në asnjë rast.

Kur flasim për dezinformimin do të shtohet pyetja; A ka mos më keq se ku po shkon propaganda shtrembëruese dhe propaganduese e partisë shtet në mediat e saj zyrtare dhe në ato që e mbështesin kur heshtin si edhe kur përcjellin lajme të marrëzishme të Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj me gjimnazistë të ekselencës?

Propaganda malinje e Rilindjes është jo vetëm fyese për nxënësit, trupat pedagogjike dhe prindërit, por ajo është e ndyrë dhe bullizuese për publikun kur arrin të shtrihet dhe të shtiret në këtë përmasë.

Keqardhja për ndotjen e informacionit dhe jo thjeshtë për dezinformimin vjen nga politika në pushtet. ATSH sot si asnjëherë kishte lajme dhe qendrime të plota me protagonistët plus 20 vjeçarë të monopolit mbi kryeqytetin Edvin Rama dhe Erion Veliaj. Dy drejtues politikë të Rilindjes që mund të mbyten bashkë në qoftë se për shkak të “idealit” njëri prej tyre nuk do të vetë sakrifikohet.

Por le t’i kthehemi protestës qytetare paqësor që rrethoi Bashkinë me 5 Prill, 2024 sikurse edhe një ditë më parë. Zemërimi është i madh sikurse dhe presioni politik pasi janë miliona euro të humbura dhe të pa investuara në kryeqytet për interesat dhe mirëqenien e jetës së banorëve. Nuk kemi më të bëjmë më me “shpërdorim detyre” dhe thjeshtë “përfitim të paligjshëm”, por me mbushje xhepash-vjedhje dhe blerje pushteti. Kjo është përballja me letër kërkesën e ardhshme në SPAK për Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj. Mbrojta e idealeve të Rilindjes do ta kthejë në “shenjt” të mashtrimit dhe të përvetësimit të pasurive publike.

Në rrafshin politik, rënia e Bashkisë së Kryeqytetit është edhe hapi i parë i qeverisë për t’i krijuar rrugë veprimit të drejtësisë. Shtrirja e lidhjeve të krimit ekonomik dhe influenca e politikës janë metastaza e korrupsionit në shtet ndaj emergjenca është krijimi i kushteve për pasjen e një qeverie teknike deri në zgjedhje.

Ai subjekt politik që sot e ndjen veten të reformuar dhe e ka të qartë se me se do të përballet duhet të sjellë në debatin publik figura të reja energjike, me besueshmëri dhe që kanë vizionin për të ndërtuar një rend demokratik. Përmbi fatkeqësinë e korrupsionit domosdoshmërisht nevoitet unifikimi i ndërgjegjes kombëtare pa elitat e pandershme që pushtetin e kanë përdorur në interes dhe për përfitimet e tyre. Mes kësaj krize larg anarkisë që frymëzon mbajtja peng dhe kapja e pushtetit shqiptarët kanë shansin e artë për të ta nxjerrë vendin nga kaosi i krijuar, hapjes rrugë dhe forcimit të ligjit dhe drejtësisë së pavarur dhe të barabartë mes shtetasve të cilat mund te bëhen shprehja e qartë për rrugën drejtë  shteteve të BE-n. Nga kjo njohje e gjendjes së Shqipërisë kuptohet qartë se vendi ka nevojë për mbajtjen e zgjedhjeve të ndershme nga ku duhet të dalë një qeverisje me dije profesionale nga të gjitha fushat me një objektiv të qartë për futjen e Shqipërisë në rrugën e veprimit të rregullave dhe ligjit duke provuar atë që premtimi i rotacioneve politike. Jemi vend i NATO-s dhe pretendojmë BE-në vetëm duke qenë të drejtë dhe të sinqertë me veten dhe ndihmën dhe përkrahjen dhjetravjeçare që po jep bashkësia ndërkombëtare.

6 Prill, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *