17 Prill 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) përshëndet vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në takimin e datës 16 prill.

Ky hap historik është rezultat i qëndresës dhe ecurisë që nga fitorja e pavarësisë duke kurorëzuar rrugën shtet formuese të Kosovës, shteti më i ri që pritet t’i bashkohet familjes evropiane muajin e ardhshëm.

Marrja e vendimit lidhet me zbatueshmërinë e të gjitha protokolleve të kërkuara nga organizmat e Këshillit të Evropës përfshirë edhe mekanizmat monitoruese të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave themelore të njeriut . Rekomandimi i Asamblesë Parlamentare legjitimon përmbushjen e parametrave evropianë të Kushtetutës së Kosovës, dhe zotimeve të kërkuara për anëtarësim krahas përparimit të vendit në fushën e luftës ndaj korrupsionit.

Me 131 vota pro nga totali prej 170 votash, ku 29 ishin kundër dhe 11 abstenime, dita e Martë 16 Prilli mundësoi hedhjen e hapit të sigurt për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Vendimi përfundimtar do të merr më 16 Maj 2024 nga Këshilli i Ministrave i 46 vendeve anëtare.

Pranimi i Shqipërisë më 13 Qershor, 1995 në Këshillin e Evropës duket si një vit i largët, ndërsa afrimi i Kosovës këtë vit rrit optimizmin e popullsisë shqiptare në dy shtete që të përpiqen me të gjitha forcat për ta ruajtur pluralizmin, demokracinë në vendet e tyre duke iu bashkuar shëndetshëm vendeve të qytetëruara evropiane në fushën e ekonomisë së tregut të lirë dhe forcimit të shtetit të së drejtës. Veç të tjerave, anëtarësimi i mundëson Kosovës qasje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Këshilli i Evropës deklaroi se e konsideron votën e djeshme parlamentare si një “katalizator për Kosovën” drejt forcimit të demokracisë, zbatimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe përmballjen me sfidat që janë përpara.

16 Prill, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *