Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Ugshpd12@gmail.com
Bazuar në nenet 60-79, kapitulli 2, i Kodit Civil Zviceran, Asambleja e
Përgjithshme e UGSHPD-së mbajti mbledhjen në platformën Zoom, online,
më 8 korrik 2021, në Zvicër, Kanada, SHBA, Itali, Francë, dhe miratoi
dokumentin themelor mbi organizimin dhe funksionimin e tij si më poshtë:
Neni 1
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) është
një shoqatë e pavarur jofitimprurëse e gazetarëve shqiptarë që jetojnë në
diasporë.
UGSHPD-ja nisi rrugëtimin më 6 qershor 2021 nga një grup
nismëtar gazetarësh shqiptarë profesionistë me banim në Zvicër, Itali,
Kroaci, Kanada, Francë, SHBA, duke u zyrtarizuar përmes themelimit dhe miratimit të Statutit më 8 korrik 2021.
UGSHPD-ja mbështetet në ligjin zviceran (Kodi Civil, neni 60 e në
vazhdim) dhe gëzon statusin e personit juridik. Selia e UGSHPD-së është në
Zvicër.
Adresa: Therwillerstrasse 59, 4153 Reinach, BL, Switzerland.
Neni 2
Qëllimi dhe objektivat e UGSHPD-së janë :
*Të nxisë debatin publik ndaj së vërtetës, duke synuar një shkallë të lartë
profesionalizmi në gazetari, përmes një etike të lartë profesioniste.
Promovimi i gazetarisë në gjuhën shqipe kudo në botë ku jetojnë shqiptarë.
Të mbrojë interesat profesioniste të anëtarëve të saj, të krijojë dhe të mbajë
marrëdhënie me autoritetet, organizatat homologe të vendeve ku jetojnë e
veprojnë anëtarët, në mënyrë që të lehtësojë veprimtarinë profesioniste të
gazetarëve të diasporës shqiptare kudo në botë.
Të mbështesë dhe të promovojë drejtësinë sociale duke denoncuar rastet e
racizmit, intolerancës, paragjykimeve e diskriminimeve ndaj minoriteteve.
Neni 3
Veprimtaria e UGSHPD-së bazohet në ushtrimin e gazetarisë aktive të
pavarur, në mbrojtjen e fjalës së lirë, në respektimin dhe pranimin e lirisë së
mendimit dhe shprehjes si dhe në pranimin e larmisë kulturore.
UGSHPD-ja vepron si një organizëm multikultural duke pasur në bërthamë
të saj anëtarë të një kombësie, por që mbajnë edhe shtetësi të ndryshme, si
dhe mirëpret përfaqësues të kulturave e etnive të ndryshme si
bashkëpunëtorë.
UGSHPD-ja do të shërbejë si një qendër e lidhjes së gazetarëve shqiptarë në
botë.
UGSHPD-ja do të ofrojë trajnime dhe konferenca për zhvillimin profesional
të gazetarëve.
Aktivitetet e UGSHPD-së do të pasqyrohen në faqen e saj zyrtare.
Neni 4
Organet Drejtuese
Organet e Shoqatës janë: Asambleja e Përgjithshme, Asambleja e
Përgjithshme e Jashtëzakonshme, Bordi Drejtues, Komisioni i Etikës
Profesioniste dhe Verifikuesi i Aktiviteteve Financiare e Ligjore.
- Asambleja e Përgjithshme zhvillohet çdo vit.
- Asambleja e Përgjithshme e Jashtëzakonshme thirret:
a – Me kërkesë të Bordit Drejtues.
b- Me kërkesën e të paktën një të katërtës së anëtarëve aktivë, të cilët duhet
të njoftojnë Bordin me letër të protokolluar që mban firmën e të gjithë
aplikantëve.
- Bordi Drejtues i organizatës përbëhet nga 5 anëtarë : kryetari, nënkryetari, sekretari, arkëtari, anëtar i bordit
Neni 5
Verifikuesi i Aktiviteteve Financiare e Ligjore (the auditor) është një anëtar
aktiv i zgjedhur nga Asambleja që ka për detyrë të kontrollojë raportet e
fundvitit të aktiviteteve të organizatës.
Neni 6
“Komisioni i Etikës Profesioniste” është një organ i përbërë prej tre
anëtarësh, i cili vepron me cilësinë e një jurie, në rast të ndonjë
mosmarrëveshjeje profesioniste mes anëtarëve të organizatës.
Palët e interesuara mund të apelojnë kundër vendimeve të tij në Bordin
Drejtues brenda tetë ditëve nga njoftimi i vendimeve të tij.
Neni 7
Anëtarësia
Anëtarësia e UGSHPD-së përbëhet nga anëtarë aktivë, të asociuar,
bashkëpunëtorë dhe anëtarë nderi.
Neni 8
Anëtar aktiv i UGSHPD-së mund të jetë çdo gazetar apo profesionist i
mediave në trevat shqiptare, në diasporën shqiptare që ushtron profesionin
në Zvicër, Europë, Kanada, SHBA apo edhe në vende të tjera të botës. Ai
mund të jetë i atashuar pranë një organi mediatik ose në profesion të lirë.
Neni 9
Titulli i anëtarit të asociuar u jepet ish-anëtarëve aktivë për sa kohë që ata
nuk kanë ndryshuar profesion dhe ende ushtrojnë një veprimtari të reduktuar
profesioniste.
Anëtarët e asociuar nuk kanë të drejtë vote. Ata mund të marrin pjesë në
Asamblenë e Përgjithshme vetëm me cilësinë e konsulentit.
Neni 10
Bashkëpunëtorë të UGSHPD-së mund të jenë personalitete shqiptare ose jo
shqiptare, (zviceranë, francezë, kanadezë, italianë, amerikanë apo dhe nga
shtete të tjera të botës), që kanë lidhje të ngushta me shtypin e huaj ose ata
që ndihma efektive e tyre shërben në mënyrë të dobishme për profesionin
tonë.
Bordi drejtues ka kompetencën e pranimit të bashkëpunëtorëve. Këta të
fundit nuk mund të ushtrojnë asnjë aktivitet në organet e ndryshme të
UGSHPD-së.
Neni 11
Titulli “Anëtar Nderi” mund t’u jepet personaliteteve shqiptare ose jo
shqiptare që kanë bërë shërbime të shquara për UGSHPD-në ose që janë
dalluar në profesionin e gazetarit.
Me propozim të Bordit Drejtues, vetëm Asambleja e Përgjithshme është
kompetente për të dhënë këtë titull nderi.
Neni 12
Funksionimi administrativ
Kërkesat Emrat e kandidatëve të rinj që duan të jenë pjesë e UGSHPD zgjidhen nga Bordi Drejtues e duhet t’u komunikohen me shkrim të gjithë anëtarëve të Asamblesë. Ata duhet të paraqesin komentet e tyre të mundshme brenda 14 ditëve.
I takon Bordit Drejtues të pranojë ose të refuzojë një kërkesë.
Bordi nuk është i detyruar të japë arsyet e vendimit të tij.
Çdo vit Bordi Drejtues duhet të verifikojë listën e anëtarëve. Në veçanti, ai
duhet të shqyrtojë nëse situata e secilit anëtar aktiv ende korrespondon me
kushtet e parashikuara në nenin 8 të Statutit. Me kërkesë të Bordit,
kandidatët dhe anëtarët aktivë duhet të paraqesin të gjitha dokumentet që
justifikojnë aktivitetet e tyre.
Neni 13
Anëtarët e UGSHPD-së paguajnë një tarifë vjetore anëtarësie të vendosur
çdo vit nga Asambleja e Përgjithshme.
Bordi Drejtues ka të drejtën të heqë nga lista çdo anëtar i cili, pas një kujtese
me shkrim dhe një të dyte me letër të protokolluar, nuk ka paguar
anëtarësinë vjetore deri më 30 qershor të vitit aktual fiskal.
Neni 14
Tërheqja dhe largimi
Anëtarët që dëshirojnë të tërhiqen nga Organizata duhet të paraqesin me
shkrim dorëheqjen e tyre në Bordin Drejtues dhe arsyen.
Konsiderohet dorëheqje edhe në rastet kur anëtari e bën atë publike në media
ose në profilin e tij zyrtar në rrjetet sociale. Gjithsesi, është e pranueshme
nga UGSHPD-ja.
Nëse një anëtar gjykohet nga një shumicë prej 2/3 të Asamblesë se ka
dëmtuar interesat e organizatës, ai largohet.
Anëtari aktiv i larguar ka të drejtë të ankohet kundër këtij vendimi tetë ditë
para mbledhjes së ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme.
Neni 15
Mënyra e Zgjedhjeve të Organeve Drejtuese
Asambleja e Përgjithshme zhvillohet çdo vit në një datë që caktohet nga
Bordi Drejtues.
Vetëm anëtarët aktivë dhe të asociuar (këta të dytët në cilësi
konsultative) mund të marrin pjesë në asamblenë e zakonshme dhe në
asambletë e jashtëzakonshme.
Asambleja e Përgjithshme njihet me raportin e Bordit Drejtues për aktivitetet e vitit të kaluar si dhe raportet e arkëtarit.
Asambleja e Përgjithshme zgjedh çdo dy vjet kryetarin dhe katër anëtarët e
tjerë të Bordit si dhe organet e “Verifikuesit të aktiviteteve financiare e
ligjore” dhe “Komisionit të Etikës Profesioniste”. (Detajet e organizimit të
zgjedhjeve do të përcaktohen nga rregullorja e brendshme e UGSHPD-së).
Bordi shpërndan funksionet me propozimin e kryetarit.
Funksionet nuk mund të kombinohen. Nëse vendi i kryetarit mbetet bosh për arsye te ndryshme, nënkryetari e merr atë deri në mbledhjen e Asamblesë së
Përgjithshme të zakonshme / jashtëzakonshme.
Përveç rasteve të parashikuara në Statut, të gjitha vendimet e Asamblesë së
Përgjithshme merren me shumicë të thjeshtë (pra 50% + 1). Nëse votimi i
fshehtë kërkohet, qoftë edhe nga një anëtar i vetëm, ai bëhet i detyrueshëm.
Që Asambleja e Përgjithshme të jetë e vlefshme, kërkohet prania e të paktën
një të tretës së anëtarëve aktivë të organizatës.
Nëse në kohën e caktuar për hapjen e procedurave ky kuorum nuk arrihet, kryetari duhet të vonojë hapjen me gjysmë ore. Pas këtij afati Asambleja zhvillohet rregullisht me anëtarët e pranishëm.
Neni 16
Bordi drejtues duhet të mbledhë Asamblenë e Përgjithshme dhe t’u dërgojë raportet të gjithë anëtarëve aktivë dhe të asociuar të paktën 21 ditë para datës së caktuar për Asamblenë e Përgjithshme.
Raportet, para se të dërgohen, miratohen ose kthehen për rishikim nga
Verifikuesi e aktiviteteve financiare e ligjore.
Neni 17
Propozimet e anëtarëve për Asamblenë e Përgjithshme duhet të arrijnë në
Bordin Drejtues jo më vonë se 15 ditë para Asamblesë së Përgjithshme. Nëse
Bordi i konsideron ato të rëndësishme, ato mund t’u komunikohen anëtarëve
pa vonesë dhe me shkrim përpara Asamblesë së Përgjithshme.
Propozimet për ndryshime në Statut, që do të merren në konsideratë, duhet
të paraqiten nga Bordi ose nga secili prej anëtarëve aktivë.
Ndryshimet në Statut dhe shpërbërja e organizatës janë përgjegjësi e
Asamblesë së Përgjithshme, vendimet e së cilës merren në këtë rast me
shumicën e dy të tretave të anëtarëve të pranishëm.
Neni 18
Bordi Drejtues ka kompetenca të plota për t’u marrë me çështjet aktuale gjatë
vitit dhe për të përfaqësuar Organizatën pranë autoriteteve.
Bordi mund të angazhohet brenda kufijve të veprimtarisë së organizatës, siç
specifikohet në Nenin 2 dhe 3 të këtij Statuti.
Vendimet e Bordit duhet të merren nga shumica e anëtarëve, përveç
përjashtimeve të parashikuara në Statut.
Neni 19
Burimet dhe shpërndarja e tyre
Burimet e Organizatës bazohen në të ardhurat prej kuotave të anëtarësisë, (tarifa vjetore CHF100), donacioneve, sponsorizimeve e projekteve.
Në rast të shpërbërjes, të gjitha pasuritë e UGSHPD-së (nëse ka të tilla) u dhurohen për bamirësi institucioneve humanitare shqiptare ose ndërkombëtare.
Shpërbërja u bëhet me dije, nga i ngarkuari me këtë detyrë, organeve të
regjistrimit, në mënyrë që të pushohet ligjërisht ekzistenca e Organizatës.